Të
dashur bashkëqytetar !
Të nderuar familjarë të Dëshmorëve të rënë
për çlirimin e Kuçovës dhe të Atdheut.
Veteranë dhe Pasardhës Veteran !
Festojmë sot 69 vjetorin e Çlirimit të
qytetit tonë të dashur, Kuçovës dhe bëhemi të ndërgjegjshëm se vitet ikin, e
midis nesh do të na mungojnë gjithmonë e më shumë ata që kanë marrë pjesë
direkte, me pushkë në dorë, në këtë ngjarje historike për Kuçovën.
Kjo për ne do të mbetet detyrë
kryesore, për të mos i harruar kurrë këto ditë të lavdishme të historisë së
popullit tonë gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare, idealin e tyre, si dhe gjakun e
derdhur për Atdheun.
Pikërisht këtë vit ne përkujtuam dhe
festuam me krenari 70 vjetorin e krijimit të Batalionit "Kuçova", të
cilën e realizuam më së miri në fshatin Sheqëz të Komunës Lumas, ku edhe është
formuar fillimisht "Çeta Partizane Kuçova“ dhe më pas ky batalion.
Janë operacionet partizane të
Batalionit "Kuçova", që në bashkëpunim me Brigatën e 7- të Sulmuese,
koordinimin me Brigadën e 8-të Sulmuese si dhe të Çetave Vullnetare të zonës,
të cilat morën pjesë në çlirimin e Kuçovës.
Mirënjohje për jetë Dëshmorëve të qytetit
tonë si : Thimi Tane, Tafil Skëndo Gaqi Karakashi, Llukan Prifti, Llazar Kuli,
Ajet Xhindole, Stefan Ndreu, Xhoxhi Tumani e shumë e shumë të tjerë.
Kuçova e revoltës së parë të punëtorisë
shqiptare shpërtheu përmes grevës së saj në Shkurt të vitit 1936 kundër
shfrytëzimit. E jo vetëm kaq, ajo vazhdoi edhe më tutje, ku mbi 200 djemë e
vajza kuçovare, pa llogaritur dhjetra e qindra të tjerë që vepruan në çetat
territoriale, hodhën pushkën krahut e dolën partizanë kundër pushtuesit
Gjerman.
Kuçova përmes grykës së pushkës,
sakrificave dhe gjakut që derdhi, dha kontributin e vetë në Luftën Antifashiste
Nacional-Çlirimtare, jo vetëm për çlirimin e Kuçovës por edhe të gjithë
Shqipërisë.
Çlirimi i vendit në përgjithësi dhe ai i
Kuçovës në veçanti, kërkoi një punë të përkushtuar dhe me sakrifica të mëdha,
të cilat me vullnetin dhe vendosmërinë e të gjithëve ne, bënë të mundur që të
fillonte një periudhë e re e zhvillimit të qytetit tonë dhe të banorëve të saj.
Në këtë 69 vjetor jemi të ndërgjegjshëm që
qyteti ynë ka ndryshuar, por ka shumë për të bërë. Ajo që dua të deklaroj
përpara jush, është fakti që me miratimin e Planit Rregullues të Bashkisë
Kuçovë, ne hodhëm një hap të rëndësishëm për të krijuar hapsira më të mëdha për
zhvillimin social-ekonomik të qytetit tonë.
Me gjithë vështirësitë e shumta
financiare, që na janë krijuar, ne do të vazhdojmë të punojmë me një program
ambicioz, me objektiva konkrete për zhvillimin social-ekonomik të Kuçovës, të
cilat janë materializuar edhe me ato pak investime të cilat i kemi bërë në saj
të përpjekjeve tona, në bashkëpunim me partnerët dhe dashamirës të Kuçovës.
Të nderuar bashkëqytetarë!
Bashkia Kuçovë do të punojë gjithmonë e më shumë për përmirësimin e imazheve të
festave tona kombëtare dhe vendore.
Është në programin tonë që duhet të
tregojmë interes, jo vetëm për datat festive të përcaktuara, por edhe për
objektet që lidhen me to, mbi të gjitha me trasmetimin e vlerave të tyre nëpër
breza, sepse koha na e ngarkon si detyrë që të mos i harojmë kurrë këto ditë të
shënuara, të cilat lidhen me historinë e lavdishme të vendit dhe të qytetit
tonë.
Duke përfunduar ju uroj të gjithëve,
Gëzuar festën e Çlirimit të Kuçovës.
Rroftë populli i Kuçovës !
Lavdi Dëshmorëve që ranë për Çlirimin e
Kuçovës !
Vazhdimi i kësaj dite të bukur festivë nga koha, por edhe nga atmosfera,
ishte me një koncert artistik të shkollës “18 Tetori”, për të vazhduar më
tej me një vizitë në familjen e Dëshmorit të LANÇ-it Xhoxhi Tumani.
No comments:
Post a Comment