Monday, July 28, 2014


   BIBLIOTEKA “FENIKS” KREMTON 10 VJETORIN E SAJ

Më datën 05 Qershor 2014, Biblioteka Publike “Feniks” Kuçovë, kremtoi 10 vjetorin e saj. Merrnin pjesë lexues, krijues të librave të botuara dhe të dhuruara kësaj biblioteke, si dhe ishte i pranishëm Kryetari i Bashkisë z. Bardhyl GJYZELI.

Boshti kryesor i zhvillimit të aktivitetit, ishte një panoramë e Odisesë së Rilindjes të kësaj biblioteke. Vështirësitë e hasura për të rimarrë godinën e kthyer në një relike të marrëzisë njerëzore dhe ngjarjet e vitit 1997, krijimi i koleksioneve, plotësimi me bazën e duhur materiale si dhe personelin e kualifikuar, e deri te krijimi i lidhjeve me lexuesit dhe aktivitetin intelektual “i të lexuarit”.....

Nismat e ndërmarra në vite për pasurimin e fondit, iu bashkëngjiten kronologjisë së rilindjes, duke prezantuar me emra dhe numër ekzemplarësh të gjithë donatorët, të cilët kanë dhënë një kontribut dhe ndihmë të jashtëzakonshëm në atë çka biblioteka është sot. Më pas u vijua me prezantimin e statistikave të frekuentimit vit pas viti duke u ndalur në mënyrë të veçantë në anëtarsimin rishtaz dhe shërbimet e ofruara nga ky institucion. Nuk mund të mbetej jashtë vëmëndjes dhe prezantimi i aktiviteteve, duke filluar nga aktivitetet që zhvillohen me fëmijët parashkollorë, e deri në promovimet dhe takimet me shkrimtarë të njohur nga mbarë vendi. U mëshua mbi faktin që çdo aktivitet ka në vetvete një qëllim të çmuar, madhorë për nga vlera dhe mesazhi që ato përcjellin tek lexuesi, t’a bëjë librin të jetë prezent në jetën e individit, për t’a formuar këtë individ dhe t’a rrisë atë si personalitet në shërbim të vetes dhe komunitetit në tërësi.

Me këtë rast një përshëndetje dhe vlerësim për punën e bërë, si dhe me urimin për 10 vjetorin e rilindjes së saj, u bë nga Kryetari i Bashkisë z. Bardhyl GJYZELI.
Për persona të veçantë të cilët kanë dhënë kontribut në pasurimin e fondit dhe kanë qënë pjesëmarrës në aktivitetet e zhvilluara në biblioteke, u shpërndanë Çertifikata Mirënjohjeje.
  Në fund të takimit u shtrua një koktejl, ku të pranishmit shkëmbyen opinione të ndryshme. 

No comments:

Post a Comment